
Mungesa e një prej antibiotikëve më të përdorur nëpër spitale, po vë në rrezik jetët e pacientëve.
Mjekët ngrenë alarmin se po përballen me një mungesë botërore të “piperacillin-tazobactam”, një antibiotik dhe antibakteriali që zakonisht përdoret në mënyrë intravenoze në repartin e trajtimit intensiv.
Ai përdoret për të trajtuar një sërë problemesh të tilla, si pneumonia, infeksione të traktit urinar, etj. Problemi është adresuar nga Departamenti i Shëndetit Publik në Angli. Në një dokument të cituar nga media britanike “The Guardian”, i cili daton në fillim të majit, thuhet se ka shumë gjasë që në të ardhmen e afërt, antibiotiku shumë i nevojshëm të mos jetë më fare i disponueshëm.
Mungesën e tij, mjekët e cilësojnë si një sfidë të madhe. Dokumenti thekson gjithashtu se, përdorimi i kombinimeve alternative do të shtonte ngarkesën e punës për doktorët dhe infermierët, pasi disa prej tyre kërkojnë doza më të shpeshta dhe monitorim intensiv.
Një antibiotik i njohur si “meropenem” konsiderohet si një alternativë e mundshme, por reziztenca ndaj grupit të cilit i përket ai po rritet gjithnjë e më shumë, e mjekët këshillohen ta reduktojnë përdorimin.
“Fatkeqësisht, për momentin nuk ka një tjetër zgjidhje të pranueshme”, thuhet në dokument. Philip Howard, zëdhënës i shoqërisë farmaceutike mbretërore tha se, problemi ishte shkaktuar si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë kineze, që prodhonte materiale të papërpunuara për medikamentin.
Spitalet në Britaninë e Madhe janë udhëzuar të kufizojnë drastikisht përdorimin e ilaçit, në mënyrë që të ruajnë rezerva. Sipas Howard, kjo ishte një prej mungesave më serioze, me të cilat ishin përballur ndonjëherë.
Top Channel