Festivali i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec ka mbërritur në edicionin e shtatë, një numër fati për një traditë të re, që ndërthur filmin, “workshop”-et, takimet mes kineastëve, turizmin e kulinarinë.

Një aventurë në Ohër, në një ndër liqenet më të vjetra në botë, që sipas organizatorëve duhet shfrytëzuar dhe njohur edhe nga ballkanasit e tjerë.

“Jemi në vitin e shtatë. Për koinçidencë, ne kemi filluar në vitin 2011 edicionin e parë, e kështu na korrespondojnë edhe vitet. Padiskutim që ka filma. Them që surpriza më e madhe janë njerëzit dhe pjesëmarrësit, është Shqipëria, Pogradeci, liqeni, është vizita në Lin, ecja në malin e Kabashit”, tha Eno Milkani, drejtor i festivalit.

Duke qenë se Ballkani ka ngjashmëri në kulturë dhe shoqëri, ky festival është menduar që në fillim si një aventurë mes këtyre vendeve.

“Ka shumë që nuk e dinë se çfarë do të thotë Ballkan dhe pa e ditur atë, në vend të parë kemi Amerikën mes aplikuesve për të sjellë filmat e tyre. Pastaj kur u kthej përgjigje, e u them se ky festival është vetëm për filmat nga vendet e Ballkanit, kërkojnë falje. Në vend të dytë është Irani, një vend me shumë prodhimtari filmash, pastaj në vend të tretë vjen Turqia”, thotë më tej Eno Milkani.

Festivali do të mbyllet me një projeksion special premierë të produksionit të filmit spanjoll “The invocation of Enver Simaku”, që bën bashkë emra të njohur të aktrimit në Shqipëri, si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili e të tjerë.

“Projeksioni i veçantë këtë vit është në natën e fundit. Skenari dhe regjia nga një djalë i ri spanjoll, film që është i zhanrit thriller, fantazi. Ai lidhet me ngjarjet e vitit 1997”, u shpreh Eno Milkani.

Top Channel