Vonesat e zgjedhjeve, nuk po dorëzohen procesverbalet

30/06/2017 00:00

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve duhet të publikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 48 orë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

Por, ky afat po digjet për shkak të vonesave të KZAZ-ve, të cilat nuk kanë dërguar ende tabelat me rezultatet në KQZ.

“Kjo situatë është e patolerushme, pasi jemi në datën 30 qershor, 3 ditë pasi ka përfunduar procesi i numërimit dhe KQZ po pengohet për të vijuar procedurat e miratimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo qark sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Janë 14 KZAZ të cilat nuk kanë dorëzuar materialet zgjedhore, ndërkohë KZAZ nr. 42 Kavajë, akoma nuk ka miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjet për Kuvendin dhe për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Kavajë”, thotë zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Por kjo situatë lidhet edhe me shpresat që PDIU ka për të marrë edhe një mandat më shumë në këto zgjedhje, atë të Tiranës, konkretisht të kryetarit Shpëtim Idrizi.

Burime nga kjo parti thonë se në pesë KZAZ në Tiranë ka vota, të cilat i takojnë kësaj partie, vota që do ta bënin Idrizin deputet. PDIU nuk ka bërë ende një ankimim, për shkak se po pret publikimin përfundimtar të rezultateve nga KQZ.

Megjithatë, ankimimi i mundshëm që partia e çamëve pretendon pritet të bëhet pas një leximi të saktë të të gjitha votave nga KQZ, pasi ekziston mundësia që vota të deklaruara në dëm të partive mund të ketë edhe për parti të tjera, duke djegur kështu mundësinë e shpalljes së Idrizit deputet.

Top Channel