“Tomka…” në Classic Movies

30/06/2017 00:00

Filmi “Tomka dhe shokët e tij” do të transmetohet në video on demand për gjashtë muaj, në rrjetin më të rëndësishëm të transmetimit të filmave klaski në në botë TCM në Amerikë, Kanada dhe Costa Rica.

Por asgjë nuk ishte rastësore që pas restaurimit të filmit në librarinë e Kongresit para tre vitesh. Para kësaj, rrugëtimi i tij u zgjat në pothuajse 17 qytete të Anglisë. Pati edhe premierën në British Film Institute. Më pas pati projeksione edhe në shumë shtete të Amerikës.

“Këto lloj filmash që të shkojnë në platforma të tilla si TCM (Turner Classic Movies), që është kanali më i rëndësishmë sot për sot në rang global në transmetimin e filmave klasikë që përkojnë deri në mesin e viteve ‘80, jo më pas, duhet të kesh vlera artistike të padiskutueshme”, thotë producenti Genc Përmeti.

Kjo është një arritje shumë e madhe për kinemanë tonë dhe autorja Xhanfize Keko është vlerësuar sidomos për trajtimin e temave universale, që i flasin botës kudo njëlloj. Por është edhe një arsye tjetër që filmi po pëlqehet dhe shpërndahet kaq shumë.

“Në 2013 është bërë një film “Historia e filmit dhe fëmijëria e Mark Cousins”, i cili ka patur premierën në Kanë Film Festival në 2013 dhe ndër filmat e përzgjedhur për të përshkurar historinë e filmit dhe kinemasë përmes fëmijëve kanë qenë edhe dy filma të Xhanfize Kekos, “Qyteti më i ri në botë” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, thotë Përmeti.

Përveçse një promovim shumë i mirë për vendin tonë, për të parë një anë Shqipërie, kjo kontratë gjashtë mujore ka edhe një përfitim financiar.

“Kur bëjnë kontratën janë kompani shumë serioze. Shqipëria ka termat e saj të cilat shpërndahen mes autorëve dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë”,shton më tej ai.

Një histori suksesi dhe ndikimi kinemaja jonë e ka pasur sidomos në Kinë, duke ndikuar që nga moda e deri tek aspekte të përditshme të jetës, por nga një treg shumë specifik si Kina përfitimet duket se qëndrojnë vetëm kaq.

“Filmat shqiptarë që ekzistojnë nëpër tërë rrugët e Kinës, në mënyrën më pirate të mundshme, por të paktën kur të jetë për transmetim televizv të vendoset njëlloj rregulli që diçka të vijë, një benefite edhe për autorët shqiptarë pasi e meritojnë”, shprehet producenti Genc Përmeti.

Top Channel