“A është mirë me qenë shqiptar?”

30/06/2017 00:00

Ai provokon gjithnjë, sa herë sjell një botim të ri në ese a publicistikë. Këtë herë në librin e ri, Mustafa Nano ngjall debat me titullin “A është mirë me qenë shqiptar?”.

“Titulli është pak provokativ dhe të jep përshtypjen që edhe lënda do të jetë në nivelin e titullit, por lënda është më pak provokative. Teza ime kryesore në libër është që me fqinjët ballkanikë, me grekët, me serbët e me malazezët e me të tjerë më shumë na bashkojnë gjëra sesa na ndajnë. Nuk është një tezë politike. Kjo është një gjë që unë e mendoj vertetë dhe e kam dokumentuar në mënyrë të plotë”, thotë autori.

Një vend të rëndësishëm në këtë botim zë edhe historia e myslimanizimit të shqiptarëve.

“Ne nuk kemi pasur një traditë të fortë fetare, si grekët, apo serbët që ishin shumë fort të lidhur me kishat e tyre. Nuk kemi pasur traditë shtetërore si serbët kanë pasur 2 shekuj perandorakë me car Dushanin në fund, grekët kanë pasur Perandorinë Bizantine. Shpjegimi është shumë kompleks. Ka shumë studiues që thonë që është e pashpjegueshme kjo që pse shqiptarët u bënë myslimanë. Unë mendoj që nuk është e pashpjegueshme. Është e shpjegueshme dhe unë e kam shpjeguar”, thotë Mustafa Nano.

“Sandwich-A është mirë me qenë shqiptar” i vjen lexuesit që prej kësaj të premteje me një parathënie nga historiani Pëllumb Xhufi. 

Top Channel