Nis aventura e ekipeve shqiptare në Europa League

29/06/2017 00:00

Skuadrat shqiptare nisin sot aventurën e tyre evropiane me ndeshjet e raundit të parë paraeliminator të Europa League.

I pari që do të zbresë në fushën e lojës është pikërisht Partizani, që në orën 17:00 do të presë në “Selman Stërmasi” skuadrën Bullgare të Botev Plovdivit. Dhe kjo ndodh në një moment kur Partizani është rrethuar nga zërat e merkatos, pasi flitet për ardhjen në stol të trajnerit Milinkoviç nga Luftëtari.

Në orën 20:00, në Korçë do të luhet ndeshja mes Skënderbeut dhe Sant Hulias. Skuadra korçare rikthehet pas më shumë se një viti në evenimentet evropiane dhe këtë do ta bëjë kundër një skuadre të panjohur, siç është ajo nga Andorra. Në letër, Sant Hulia duket një kundërshtar i lehtë, por korçarët duken të përqendruar në maksimum.

Detyrën më të vështirë nga ekipet shqiptare në këtë raund të Europa League do ta ketë Tirana. Skuadra bardheblu, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë, do të përballet me një skuadër si Maccabi Tel Aviv. Të udhëheqëur nga trajneri Ze Maria, bardheblutë kanë udhëtuar drejt Izraelit, ku kanë zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore. Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe të gjithë janë gati për sfidën e mbrëmjes së sotme.

Top Channel