Po ikin teknikët? Shkarkohet kreu i OSHEE, rikthehet Adrian Çela

28/06/2017 00:00

Këshilli Mbikqyres i OSHEE shkarkoi nga detyra administratorin teknik, emëruar nga marrëveshja me Partinë Demokratike, vetëm një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.

Misioni për të cilin Haki Mustafa ishte emëruar në krye të OSHEE përfundoi dhe këshilli mbikqyrës e largoi nga detyra duke rikthyer ish administratorin Adrian Çela.

Mustafa ishte  emëruar në postin e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në datën 2 qershor. Emërimi i tij në këtë post ishte pjesë e marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të ndryshuar përvec 4 ministrave, edhe disa drejtorë të kompanive publike, për të siguruar mospërdorimin e administratës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Por me sa duket me përfundimin e zgjedhjeve dhe bashkë me të edhe të rolit të drejtorit teknik Mustafa për të ruajtur procesin nga përdorimi i punonjësve të OSHEE së, këshilli nuk ka vonuar ta shkarkojë dhe të emërojë sërish në këtë detyrë administratorin e mëparshëm Adrian Cela.
Në detyra të ngjashme janë ende disa drejtorë, si te Aluizni, apo drejtoria e burgjeve, ende nuk ka një vendim për vijimin ose jo të tyre në këto detyra por fati i tyre është i lidhur me fatin e ministrave teknike dhe zëvendëskryeministres Mandija, detyra e të cilave ishte garancia për zgjedhjet.

Nëse të ardhurit nga opozita në qeveri shkarkohen, deri në krijimin e qeverisë së re, në detyrë do qëndrojnë zvministrat politikë.   

Top Channel