Kukësi, sërish i dyshuar për trukim

28/06/2017 00:00

Në harkun e pak ditëve, skuadra kampione e futbollit shqiptar përfshihet në hijet e trukimit të ndeshjeve.

Kukësi, që fitoi titullin këtë sezon në Kategorinë Superiore dhe po përgatitet për premierën europiane në Champions, njolloset sërish nga Federbet.

Agjencia europiane, që u formua për të kontrolluar rregullat e basteve dhe kazinove, ka pjesërisht detyrë të zbulojë ndeshjet e trukuara. Në këtë kontekst, Federbet drejtoi gishtin e akuzave në miqësoren e kësaj jave.

“Kukësi – Botosani 3-1. Të tjera lëvizje të mëdha dhe të çuditshme në baste. Ne nuk gjykojmë, por thjesht vëzhgojmë!”, shkruhet në reagimin e agjencisë.

Kukësi u imponua 3-1 ndaj rumunëve të Botosanit në miqësoren e zhvilluar në Austri, një ndeshje e mirë krahasuar me humbjen 7-0 ndaj Wolfsberger. Për të dyja këto ndeshje, kompania Federbet ngriti dyshime se janë paracaktuar.

Më 2 korrik, kampionët e Shqipërisë do të përballen me rusët e Rostovit, ndërsa në datën 4 korrik me rusët e Dinamos së Moskës, në një tjetër miqësore.

Ky tur i paraprin impenjimit në Champions League ndaj ekipit moldav, Sheriff Tiraspol.

Top Channel