Allegri pengon largimin e Bonuccit: Udhëheqës te Juvja

27/06/2017 00:00

Leonardo Bonucci, ditët e fundit është vënë në qendër të zërave të merkatos, të cilat e shohin atë drejt kalimit te Chelsea për të punuar sërish me Antonio Conten.

Por këto zëra u frenuan menjëherë nga trajneri Massimiliano Allegri, sipas të cilit Bonucci do të jetë udhëheqësi i Juventusit edhe në të ardhmen.

Në një intervistë për “Sky Sport”, trajneri Allegri tregoi një moment tensioni mes tij dhe Bonuccit, pikërisht përpara ndeshjes mes Juventusit e Portos, kur ai e la mbrojtësin jashtë skuadre. Sipas Allegrit, në atë çast u duk se ishte një vendim i drejtë i marrë prej tij, pavarësisht se pranoi se edhe ai kishte gabuar.

“Ndaj Portos luajtëm shumë mirë, por pas dy ditëve Bonucci u bashkua me skuadrën, sepse ai është një futbollist i rëndësishëm e i jashtëzakonshëm. E mbi të gjitha ai duhet të kuptojë se do të jetë udhëheqësi i Juventusit në të ardhmen”, ishte deklarata e Allegrit.

Top Channel