Ndalimi i udhëtimeve, Gjykata e Lartë i jep “fitore” Trumpit

26/06/2017 00:00

Pas një serie humbjesh ligjore, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i akordoi Trumpit një fitore, megjithëse jo të plotë, por të rëndësishme, për ndalimin e udhëtimeve.

Gjykata vendosi se do ta konsiderojë çështjen e plotë në tetor, por ndërkohë rrëzoi vendimet e gjykatave më të ulëta që kishin bllokuar totalisht urdhrin e Trump.

Gjykata Supreme vendosi se disa shtetas të huaj nga 6 vendet me popullsi kryesisht myslimane, që përfshin urdhri i dytë ekzekutiv, mund të ndalohen që të hyjnë në SHBA.

“Në terma praktikë, urdhri ekzekutiv mund të mos zbatohet ndaj shtetasve të huaj, që realisht kanë një lidhje të vërtetë me një person apo entitet në SHBA. Por të gjithë shtetasit e tjerë të huaj preken nga urdhri ekzekutiv 2”, shkruhet në vendimin e gjykatës.

Kjo do të thotë se një pjesë e rëndësishme e vendimit të Trumpit mund të hyjë në fuqi, ndërsa gjykata konsideron vendimin për ndalimin e udhëtimeve në përgjithësi. Nuk është e qartë se çfarë do të thotë “lidhje e vërtetë” apo kush vendos nëse ajo është e tillë, por nuk ka dyshim se fitorja e Trump është e konsiderueshme.

Gjykata vendosi gjithashtu të lejojë ndalimin për 120 ditë të të gjithë emigrantëve, sërish duke lejuar vetëm ata me “lidhje të vërtetë” të hyjnë në SHBA. Mes gjykatësve që lejuan pjesërisht hyrjen në fuqi të urdhrit ekzekutiv është edhe Neil Gorsuch, i cili u emërua nga Trump dhe më pas u miratua thuasje me forcë në Senat, përmes “opsionit bërthamor”.

Shumica konservatore 5 me 4 në gjykatën më të lartë amerikane sapo i dha triumfin e parë të rëndësishëm Trumpit, i cili në një koment menjëherë pas vendimit tha se ky i fundit është një fitore e qartë për sigurinë kombëtare amerikane.

Top Channel