Itali, qeveria ndërhyn për shpëtimin e dy bankave

26/06/2017 00:00

Aksionet e bankave italiane mund të jenë ringritur të hënën, pas një marrëveshjeje për të shpëtuar dy institucione rajonale, që duket se kuroi edhe një nga kokëçarjet më të mëdha të Romës.

Por taksapaguesit janë të shqetësuar se, ndoshta do ta mbajnë ata peshën e humbjeve dhe jo industria financiare.

Të dielën, Roma miratoi një dekret emergjent që vendos asetet më të mira të Bankës Popullore të Viçencës dhe Bankës “Veneto” në duart e “Intesa Sanpaolo”, që i ka marrë ato me çmimin simbolik të vetëm një euroje.

Qeveria do t’i paguajë 5.2 miliardë euro Bankës “Intesa”, bankës kryesore tregtare në Itali, për të garantuar kapitalet e saj, ndërkohë që politika e dividentëve nuk do të preket nga marrëveshja dhe i jep garanci prej 12 miliardë eurosh për ta mbrojtur nga humbje të paparashikuara.

Ekspozimi total për shtetin është rreth 17 miliardë euro, edhe pse Thesari italian vlerëson se fatura përfundimtare do të jetë më e ulët sesa kaq. Pas negociatave me Brukselin, Italia mori lejen të likuidojë dy bankat sipas procedurave kombëtare të falimentimit, e jo të presë rregullatorët europianë që të vendosin kushtet e tyre, me gjasa më të ashpra.

Marrëveshja vjen pasi Roma u lejua të shpëtojë bankën e katërt më të madhe në vend, “Monte dei Paschi di Siena” për 6.6 miliardë euro, duke sheshuar një tjetër kërcënim sistematik dhe duke ndihmuar në kthimin e besimit tek industria financiare e brishtë e Italisë. Për ta bërë këtë, sidoqoftë, qeveria ka përdorur një total prej 20 miliardë eurosh, që ishte ndarë për të ndihmuar bankat e sëmura.

Top Channel