Si përgjoheshin shqiptarët në “Shtëpinë e Gjetheve”

21/06/2017 00:00

Shumë njerëz e kanë lidhur jetën e tyre me “Shtëpinë e Gjetheve”. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të përgjuar nga sigurimi i shtetit e një pjesë tjetër njerëzit që kryenin përgjimet.

Nesti Vako ka punuar gati gjithë jetën e tij në organin e përgjimeve të vendosur në godinën misterioze. I ftuar në “Pasdite në Top Channel”, inxhinieri i përgjimeve rrëfeu gjithçka sesi funksiononte Shtëpia e Gjetheve.

“Kam punuar në “Shtëpinë e Gjetheve” që në krijimin e saj, që në kohën kur kemi marrë aparaturat lindore e i kemi futur brenda në godinë, në vitin 1969. Unë kam punuar si radioteknik në Pogradec në vitin 1961, ndërsa më vonë hapa laboratorin e radioteknikës në Pogradec. Më pas, me vendim të Komitetit Qendror kalova në dispozicion të Ministrisë së Brendshme dhe e gjeta veten përballë portës së “Shtëpisë së Gjetheve”. Fillova dhe kursin e Ministrisë së Brendeshme për operativ dhe më 5 maj 1970 mora emërimin. Mora pajisjet e mia si oficer drejtimi, ku ndërkohë në këtë grup ishin 5 vetë. Pasi kishim marrë informacion me rrugë operative apo burime të tjera, personi merrej nën kontroll me teknika operative, ku nëpërmjet çimkave vërtetohej saktësia e informacionit për personin që dilte nga drejtimi i përcaktuar, sepse kishte mundësi edhe për dizinformim. Pasi personit i vërtetohej informacioni, njoftohej për të korrigjuar sjelljen, pra që kishte kaluar linjën e kuqe dhe merreshin masat sipas rregullave që ishin në atë kohë”, trgon inxhiner Vako.

Ai konfirmon edhe bashkëpunimin e shpeshtë të familjarëve, apo njerëzve të afërt të personave që përgjoheshin, duke u shtuar dramën njerëzve që vëzhgoheshin nga sistemi.

“Unë jam inxhinier elektronik dhe kam punuar në laborator. Një pjesë të çimkave i kam bërë vetë, ndërkohë që kemi blerë edhe në Gjermani, Itali dhe në Japoni. Personi që jepte infon mund të ishte person i shtëpisë, ose miku i shtëpisë. Pra, dinte saktësisht ku mund të vendoseshin çimkat pa u dalluar. Çdo përgjim bëhej pasi informohej prokurori i përgjithshëm, pasi i çonim ne teknikën operative. Pra, askush nuk niste asnjë përgjim pa marrë miratim paraprak”, thotë ish-punonjësi i “Shtëpisë së Gjetheve”.

Top Channel