Sekretet e klinikës mjekësore që u bë “Shtëpia e Gjetheve”

21/06/2017 00:00

Prej disa kohësh, në Tiranë është hapur muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, por historia e vjetër e asaj godine është shumë e ndryshme nga lidhja me spiuanzhin.

Jovan Basho, pasardhës i doktorit Jani Basho, rrëfu në “Pasdite në Top Channel” se si iu rrëmbye prona e familjes që shërbente si klinka e parë mjekësore në Shqipëri, për t’u bërë pjesë e sigurimit të shtetit.

“Ne shkurtin e vitit 1945 shtëpia u shtetëzua. Ka qenë klinika kryesore private, jo e Tiranës por e Shqipërisë, ku ka punuar jo vetëm dr. Jani, por mjekët më në zë që ka pasur Shqipëria në atë periudhë. Ka shërbyer si klinikë deri në fund të vitit 1944. Doktor Basho e kishte shtëpinë ngjitur me klinikën”, tregoi Basho në “Pasdite në TCH”.

Por drama e familjes Basho nuk mbaroi në komunizëm, regjim që e persekutoi, por edhe pas rënies së diktaturës ajo ende nuk e ka marrë pronën e saj.

Pas demokracisë, nipi i dr. Bashos, Kostandin Basho i kërkoi Komisionit të kthimit të pronave kthimin e ndërtesës, por pavarësisht proceseve gjyqësore nuk e ka marrë ende, pasi çështja është në apel.

Populli i Tiranës asaj shtëpie i vuri emrin shtëpia misterioze. Ato bime kacavierrëse që ia shtuan misterin nuk i mbolli dr. Basho. Ai priti shumë fëmije aty dhe dëgjoi të qarat e para të tyre.

Regjimi komunist ishte ai që e ktheu këtë Shqipëri në tmerrin e shqiptarëve dhe do ishte mirë që kuratorët të ndërtonin aty një dhomë për të treguar persekutimin që i është bërë dr. Bashos, sepse ka qenë një ndër personat më emblematikë të historisë së Shqipërisë, i cili studioi jashtë në Vjenë në 1921 dhe erdhi që të ndante përvojën e tij profesionale në vendin e lindjes, duke hapur klinikën e parë për Obstetri Gjinekologji.

“Emri i doktor Bashos ka qenë në listat famëkeqe të Koçi Xoxës për t’u eliminuar, por atë e shpëtoi rastësia”, tregon nipi i doktorit të zotë e patriotit të madh.

Top Channel