Në kërkim të trajnerit, FSHF “gjuan” stafin teknik

21/06/2017 00:00

Vendimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit mbetet pezull, në lidhje me trajnerin e ri të përfaqësueses, në një lumë emrash që – siç konfirmon vet ai, – vijnë thuajse çdo ditë në telefonin e tij.

Megjithatë, ndryshe nga sa pritet, presidenti Duka ka vendosur që, përpara se të mendojë për pasardhësin e De Biasit, të vendosë për pasardhësin e Paolo Tramezzanit, pra për postin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare. Ky post ka mbetur bosh që nga muaji dhjetor, kur zëvendësi i De Biasit mori drejtimin e skuadrës së Luganos në Zvicër.

Që nga ajo periudhë, Duka i kërkoi sugjerime edhe De Biasit për dikë që mund ta bënte këtë detyrë. Emri i parë i përmendur dhe shumë i vlerësuar nga De Biasi, pasi kishin punuar bashkë, ishte ai i Giancarlo Camolese, e si i tillë mbetet një kandidaturë e fortë për postin e drejtorit teknik.

Ai ka drejtuar skuadra si Torino, Reggina, Vicenza apo Livorno. Së bashku me të, nga drejtuesit e Federatës janë intervistuar edhe Massimo Piscedda, një trajner me shumë eksperiencë në ekipet kombëtare, pasi ka drejtuar thuajse të gjitha ekipet e moshave të kombëtares italiane, nga U17, U18, U19 dhe U20.

Ndërsa kandidatura tjetër e ofruar është ajo e Massimo Morgia. I mbetur në dorë të një stafi teknik disi të reduktuar, e që kryesohet për momentin nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, presidenti i FSHF-së ka menduar që nga dita e hënë t’i kontaktojë edhe nga afër, për të mbyllur si fillim çështjen e drejtorit teknik. E pasi të ketë kompletuar këtë staf, të mendojnë së bashku me të për zgjidhjen e çështjes së trajnerit, që mbetet ende komplekse.

Ndërkohë që De Biasi do të mbërrijë sërish në Tiranë në fundjavë, këtë herë për lamtumirën zyrtare dhe me një titull nderi që do t’i jepet nga Presidenti i Republikës.

Top Channel