Ne nuk kemi një industri që të mbështesë punën e dizajnerave të rinj të modës në Shqipëri, por patjetër kemi shumë talente.

Ata janë të aftë të krijojnë edhe modën e lartë në Shqipëri, sidomos kur tradita jonë që në gjenezë e kostumeve popullore është aq e pasur dhe e bukur.

Atelieri i tekstilit dhe modës në Universitetin e Arteve përmbylli diplomimin e dizajnerave të rinj nëpërmjet një sfilate mode duke ndërthurur folkun me fashion.

Najada Hamza, drejtuese e Atelierit të Tekstilit dhe Modës, tha: “Kjo sfilatë është e ndarë në dy tema. Tema më e rëndësishme është ajo e folkut. Folk plus. E cila bëhet me një qëllim të mirpërcaktuar. Që moda jonë të ketë një fytyrë dhe kjo fytyrë të jetë identiteti”.

Por, si përshtaten këta stilistë të rinj kur nuk ka ende një treg të mirëfilltë mode?

“Praktikisht, studentët tanë mbarojnë shkollët dhe hapin atelietë e tyre. Një target grup që na mbështet gjithmonë është grupi i të rinjve, të cilët i janë rikthyer identitetit kombëtar dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme”, deklaroi Hamza.

Fashion atelier në sfilatë, përveç folkut edhe nëpërmjet materialeve të riciklueshme, tregoi edhe elementë të modës së lartë.

“Ata bëjnë një pikëpjekje të gjthë këtyre elementëve të folkut, identitetit, bashkohësisë dhe pse jo edhe gati të “haute coutur”, sepse një pjesë e veshjeve që do të shihni janë veshje të cilat synojnë modën e lartë”, tregon Hamza.

Nesër, përveç identitetit, këta të rinj synojnë me kohën të reformojnë edhe stilin.

Top Channel