Një rekord për Katy Perry

20/06/2017 00:00

Pas disa javësh promovimi, një transmetimi “live” prej 96 orësh dhe një përpjekjeje për t’i dhënë fund armiqësisë me Taylor Swift, albumi “Witness” i Katy Perry bëri debutimin në krye të klasifikimeve amerikane të hënën.

“Witness”, në të cilin Perry kombinon tema politike me muzikën pop, ka shitur 162 mijë kopje dhe është transmetuar më shumë se 19 milionë herë në javën e parë të tij.

Perry bëri më herët një tur të madh promovues me shumë performanca e intervista, dhe gjithçka kulmoi me një transmetim “live” katërditor në “Youtube” para publikimit të tij.

Në një nga intervistat, Perry tha se ishte e gatshme të hidhte pas krahëve armiqësinë e hershme me këngëtaren tjetër pop, Taylor Swift.

Kjo e fundit nuk është përgjigjur ende, por ka publikuar një përmbledhje të këngëve të saj në po të njëjtën ditë kur Katy Perry nxori në treg “Witness”, në atë që u konsiderua nga shumëkush si një përpjekje për të vjedhur vëmendjen nga rivalja.

Katy Perry, ndërkohë, bëhet artistja e dytë solo, femër, që ngjitet në majat e klasifikimit këtë vit, pas Halsey. Ndërkohë, në klasifikimin e këngëve dixhitale, që fokusohet te shitjet “online” të këngëtarëve, portorikani Luis Fonsi me “Despacito” vazhdon të dominojë me qindra e mijëra kopje të shitura.

Top Channel