Bujqësia, kreditim i ulët. Fermerët nuk shfrytëzojnë financimet

20/06/2017 00:00

Kreditimi për bujqësinë mbetet ende i ulët dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, vazhdon të zërë peshë të papërfillshme në portofolin total të kredisë, veç 1.5%.

Fondi i garancisë, që ndan riskun mes qeverisë shqiptare, BERZH-it dhe bankave të nivelit të dytë, ka mbetur ende në një stad fillestar, ndërsa janë lëvruar deri tani vetëm 8.5 milionë, nga 180 milionë euro që duhen disbursuar në 3 vite.

Zef Preçi, ekspert ekonomie, thotë se për të rritur disbursimin e kredive bujqësore të mbështetura nga ky fond nevojitet përzgjedhja e institucioneve kreditore mbi bazën e normës më të ulët të interesit.

“Bankat të zgjidhen në mënyrë konkurruese, duke u nisur nga kosto më e ulët e nga norma më e ulët e interesit që ofrohet, përtej garancisë”, tha Zef Preçi, Qendra shqiptare për Kërkim Ekonomik.

Selami Xhepa kujton se një fond i ngjashëm në bashkëpunim me BERZH-in, në vitin 2005, nuk rezultoi me sukses, por me zhvillimet e fundit në bujqësi mund të jetë një hap pozitiv. Megjithatë, kjo nuk e zëvendëson nevojën e një rishikimi në themel të skemës nga ana e qeverisë, duke futur elementë të rinj nxitës.

“Duke qenë se problemi i tokës është një problem serioz në Shqipëri, kontrata që ka një fermer me tregun mund të shërbejë si kolateral për bankën. Duke qenë se, sërish kemi një element risku që lidhet në veçanti me ndryshimet klimatike, atëherë edhe kompanitë e sigurimeve duhet të bëhen pjesë e këtij rrjeti institucional, të cilët bëjnë garantimin e rreziqeve të përmbushjes së detyrimeve kontraktore nga fermeri te banka kreditore”, tha Selami Xhepa, Instituti Europian Pashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA