Krizë kontratash me portierët, edhe Courtois refuzon Chelsean

16/06/2017 00:00

Pas refuzimit të bujshëm të Donnarummës për rinovimin me Milanin, një tjetër portier cilësor në futbollin europian refuzoi të gëlltiste atë çfarë i dha klubi i tij për ta mbajtur.

Thibaut Courtois nuk pranoi të firmoste rinovimin me Chelsean duke kërkuar kushte të reja financiare, në një kohë që interesi i Realit të Madridit për gardianin belg është shtuar ndjeshëm.

Aktualisht, “blutë” e Londrës e paguajnë plot 100 mijë euro në javë futbollistin e kombëtares së Belgjikës, por përmes agjentëve të tij, lojtari ka kërkuar të paktën dyfishin. Akordi i ri duhet të firmoset përpara nisjes së sezonit në gusht, me stafin teknik që kërkon të mos e lëshojë Courtois në merkaton e kësaj vere.

Në një vals të vërtetë të portave këtë verë, Reali kërkon diçka më shumë se Keylor Navas mes dy shtyllave, ndërsa fokusi i kampionëve të Europës është te De Gea dhe Courtois. Situata për këtë të fundit lehtësohet disi nga dy vitet në kontratën e mbetura, ndërsa pritet që si përforcim për Chelsean të jetë dhe zëvendësuesi Willy Caballero, që do të prezantohet këtë muaj në një transfertë falas nga Manchester City.

Top Channel