Serbia, drejt kryeministres së parë femër…dhe lesbike

15/06/2017 00:00

Serbia pritet të ketë të parën kryeministre femër dhe lesbike, pasi ministrja aktuale për Qeverisjen Lokale, Ana Brnabiç është nominuar për postin e lënë vakant nga Aleksandar Vuçiç, i cili u bë president, gjatë kësaj të enjteje.

“Brnabiç ka cilësitë profesionale për qeverisje dhe e di mirë se ajo do të punojë fort e do të tregojë respekt për të gjitha partitë politike”, tha presidenti Vuçiç në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës shpalli edhe kandidaturën e saj.

“Ajo do të punojë, së bashku me ministrat e tjerë, për një jetë më të mirë për qytetarët e Serbisë”, shtoi më tej ai.

Kandidatura e Brnabiç duhet të miratohet nga Parlamenti. Ajo u emërua ministre e Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale gjatë vitit të kaluar nga Vuçiç, në atë kohë kryeministër i Serbisë. Deri më tani, ajo nuk është anëtare e asnjë partie politike.

Duke folur mbi orientimin seksual të Brnabiç gjatë emërimit të saj si ministre, Vuçiç pati thënë se “ajo nuk e fsheh aspak atë, por është krenare të flasë mbi këtë çështje. Ajo është shumë e këndshme dhe e dashur. I kam thënë se isha i interesuar për atë që ajo mund të bëjë dhe sesa profesioniste dhe punëtore ishte ajo”.

Top Channel