Presidenti Bujar Nishani ka bërë mbrëmjen e së martës dekorimet e tij të fundit ndaj një numeri të konsiderueshëm artistësh. Baritonit më të famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa ju akordua titulli “Mjeshtër i Madh”, për katërmbëdhjetë vitet e tij të karrierës në teatrot më të rëndësishmë të botës.

“Unë jam jo relativisht, por mjaft i ri për këtë nderim kaq të madh. Sinqerisht mbrëmë jam ndjerë pak në siklet, sepse isha në tavolinën presidenciale i rrethuar nga kollozë të tillë si Roza Anagnosti, ose Tinka Kurti, Kujtim Çashku etj.  Unë isha tepër i lumtur të isha afër shoqes koleges dhe “Nnderit të Kombit” tashmë, Ermonela Jaho dhe ishim dy përfaqësues të botës lirike në këtë eveniment”, thotë Myshketa.

Sa u përket emrave të përzgjedhur kryesisht për urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh” janë ngjallur reagime të shumta që komentojnë dyshimin mbi meritokracinë e tyre.

“Unë përfaqësoj vetën time, nuk kam asnjë koment specifik mbi asnjë emër. Fjalët më të bukur mbrëmë i ka thënë mjeshtri Robert Radoja, i cili më tha që je një nga këngëtarët që e përfaqëson më denjësisht vendin tonë në artin lirik”, rrëfen ai.

Baritoni Myshketa pas suksesit të tij me “Cavalleria Risticana”, që u shfaq për publikun e gjerë nga Radio Televizioni Italian, po përgatitet për një tjetër opera së bashku me tenorin Saimir Pirgu, ndërkohë që së shpejti do ta kemi edhe në TKOB me një projekt që preferon ta lerë ende surprizë.

“Po përgatis operan Simon Boccanegra, e cila do të jepet në teatrin San Carlo. Do të jem bashkë me Saimir Pirgun. Pra dy shqiptarë në një teatër shumë të rëndësishëm. Teatri më i bukur në botë është cilësuar”, rrëfen baritoni shqiptar.

Top Channel