De Biasi: Iki se nuk më deshën

13/06/2017 00:00

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni De Biasi ka zbuluar publikisht largimin e tij pasi ka munguar vullneti i Federatës Shqiptare të Futbollit për të biseduar për një rinovim të mundshëm.

Këtë gjë italiani e ka bërë të ditur pak ditë pas suksesit shumë të rëndësishëm, me Izraelin në Haifa.

“Në fund të eleminatoreve do të largohem nga Kombëtarja shqiptare. Si çdo histori tjetër normale, edhe kjo ka një fillim dhe një fund. Shqipëria nuk ka nevojë të bëjë revolucion, makina është gati. Mund të isha larguar pas Europianit, u kontaktova nga Federata të ndryshme. Mora oferta milionere, por qëndrova këtu për të vijuar punën e nisur. Përsa kohë do të jem këtu do të jap 110 përqindëshin  tim. Ekziston një mentalitet që nuk më pëlqen, në rast suksesi fitoni të gjithë, në rast disfate humbas vetëm unë”, deklaroi ai.

Në fjalët e tij De Biasi nënkupton një lloj zhgënjimi për mungesën e mbështetjes për një tjetër rinovim në krye të pankinës “Kuqezi”.

“Mendoj se nga dikush ende nuk gëzoj besim pavarësisht këtyre 5 viteve e gjysmë. Nëse Federata do të donte të më mbante do të fliste më parë. Tani është tepër vonë. Nuk funksionon kështu. Ata që janë më të mirë se unë, si për shembul Lëv u konfirmuan 4 vjet përpara. Nuk është se prisja të rinovoja 2 vjet para, por prisja një tjetër diskutim nga FSHF. Raportet me Dukën kanë qenë gjithnjë të mira, por në aspektin human kam bërë disa gabime të mëdha që nuk dua t’i përsëris”, thotë ai.

Kontrata aktuale e trajneri Gianni De Biasi përfundon zyrtarisht me mbylljen e këtyre eliminatoreve në muajin tetor.

Top Channel