Kosova voton në zgjedhjet parlamentare. Marrin pjesë edhe serbët

11/06/2017 00:00

Procesi zgjedhor ka filluar në tërë territorin e Kosovës, pasi të gjitha qendrat e votimit janë hapur. Problemet kanë qenë të vogla dhe nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Siguria është garantuar nga Policia e Kosovës dhe zgjedhjet po i ndjekin rreth 30 mijë vëzhgues vendas e të huaj. Rreth 1 milion e 800 mijë votues do të kenë mundësi të zgjedhin 120 deputetë, nga mbi 900 kandidatë.

Votimet kanë filluar edhe për serbët. Shkolla fillore “Mbreti Milutin” në Graçanicë ka hapur dyert që në mëngjes. Materialet zgjedhore bëhen gati pak minuta para fillimit të votimit. Gjithçka duket nën kontroll dhe tani priten qytetarët.

Një pjesë e tyre votojnë herët, por nuk duan të flasin shumë.

“Gjithçka ka filluar me kohë dhe pa probleme. Këtu kemi rreth 8 mijë votues dhe kemi marrë masat e nevojshme”, tha Vladimir Miliç, menaxher i qendrës votuese.

Serbët e Kosovës votojnë nën akuzat për shantazh nga lista që mbështetet nga Beogradi dhe partitë e tjera që janë kundër.

Top Channel