F1, Vettel: Mundesha për më shumë, por ritmi i Ferrarit është i mirë

11/06/2017 00:00

Sebastian Vettel provoi gjithçka mundej për t’ia rrëmbyer “pole position”-in Lewis Hamiltonit në Montreal, por në fund nuk ia doli, e gjithsesi ka vetëm fjalë pozitive për britanikun. Gjermani i Ferrarit mbeti vetëm 3 të dhjetat pas pilotit të Mercedesit.

Megjithatë, në skuderinë Ferrari nuk ka arsye për ta humbur besimin, pasi nisja nga vija e parë është sërish një mundësi e mirë për garën.

“Kishim një hap të mirë dhe makina funksiononte shumë mirë, megjithatë nuk jam i kënaqur me provën time të tretë. Do të më pëlqente të përsërisja atë të dytën. Ndoshta bëra një gabim në kthesën e dytë, megjithatë ishte një ditë e mirë dhe në fund më pëlqeu ritmi që kishim”, tha Vettel pas vendit të dytë të siguruar përpara Çmimit të Madh të Kanadasë.

“E dija që duhej të përmirësohesha, edhe pse në xhiron e dytë isha vetëm 4 të mijëtat larg Hamiltonit. Megjithatë komplimente britanikut që ishte më i miri në këto kualifikuese. Zgjodhëm strategji të ndryshme në të trija përpjekjet, sepse mendova se do të më shërbente. Por ai gabim në kthesën e dytë më kushtoi dhe nuk ishte e mjaftueshme për të dalë përpara kundërshtarit tim”, shton më tej gjermani.

Top Channel