Zgjedhjet në Kosovë, në terren 30 mijë vëzhgues

10/06/2017 00:00

Rreth 3 mijë vëzhgues të shoqërisë civile do të ndjekin zgjedhjet e Kosovës në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa numërimi dhe rezultatet e para pritet të dalin disa orë pas mbylljes së procesit.

Organizata Demokracia në Veprim ka regjistruar parregullësi gjatë fushatës dhe sidomos kërcënimin e serbëve.

“Në Leposaviç dhe Graçanicë atmosfera ka qenë më e tensionuar, është ndjerë presion ndaj votuesve. Ndërsa në pjesën tjetër të territorit situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur incidente serioze që do të mund të kompromentonin procesin dhe fushatën zgjedhore në tërësi”, deklaroi Albert Krasniqi, nga Demokracia në Veprim.

Kjo organizatë, që bën monitorimin e zgjedhjeve, ka bërë thirrje tek partitë politike që të kujdesen për mundësimin e vëzhgimit të zgjedhjeve.

“DNV u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos ushtrojnë presion tek qytetarët përmes vëzhguesve të tyre, anëtarëve të tyre, etj, por të krijojnë mundësi dhe ambjentin që ata të votojnë të lirë dhe të garantohet një proces i drejtë për ata që janë pjesë e garës”, tha Ismet Kryeziu.

Zgjedhjet në Kosovë pritet t’i monitorojnë rreth 30 mijë vëzhgues vendas e të huaj.

Top Channel