Manchesteri lë të lirë Ibrën, synon Moratën si zëvendësues

09/06/2017 00:00

Ibra nuk është më futbollist i Manchester United, e rrjedhimisht nuk do të mund ta vazhdojë karrierën e tij në mbyllje te “djajtë e kuq”. Por kjo duket se nuk përbën problem për klubin anglez, i cili duket se është fokusuar me të gjitha forcat tek Alvaro Morata.

Bashkë me suedezin, Premier League ka zyrtarizuar edhe listën me lojtarët “e lirë”, apo thënë ndryshe ata që janë në skadencë kontrate në fund të qershorit, me të cilët klubet aktuale nuk kanë ndërmend të rinovojnë.

Zlatan Ibrahimoviç, i cili shënoi 28 gola në sezonin e fundit me United, por që fatkeqësisht humbi fundin e kampionatit për shkak të një dëmtimi në ligamentin e gjurit të djathtë, është tashmë i lirë për të kërkuar një tjetër klub, e me shumë mundësi objektiv do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithsesi, Mourinho duket se e ka gjetur pasuesin, e ai është Morata i Realit të Madridit, që ishte edhe në fokusin e Milanit. Sipas asaj që bën të ditur “Marca”, sulmuesi madrilen përmes agjentit të tij ka njoftuar Realin për synimet e tij: të largohet nga klubi kampion i dyfishtë i Europës dhe të aktivizohet më shumë si protagonist në ndeshjet më me vlerë.

Zidane, i cili donte ta mbante, duket se nuk e ka bindur spanjollin, kjo edhe për shkak se në ndeshjet më të rëndësishme e ka aktivizuar shumë pak. Por jo për faj të tij, pasi kjo është edhe meritë e titullarëve të tjerë që e kanë mbrojtur me çdo kusht atë fanellë.

Reali i Madridit, me Moratën në largim duket se do të arkëtojë 70 milionë euro, të paktën kaq është oferta e United, edhe pse “Los Blancos” kërkojnë plot 90 milionë euro për të.

Top Channel