Lavdrim Muhaxheri vritet nga dronët e SHBA

08/06/2017 00:00

Lavdrim Muhaxheri, kreu i luftëtarëve shqiptarë të bashkuar me grupin e dhunshëm xhihadist, Shteti Islamik, është vrarë gjatë një sulmi me “drone” të forcave amerikane në Siri.

Lajmin e konfirmoi edhe vëllai i tij, Bajrami, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”.

Njeriu që mori nofkën “Kasapi i Ballkanit” ishte kthyer në shqetësim për Perëndimin, e konsiderohej i kërkuari numër një për rajonin.

Muhaxheri, i njohur edhe si Abu Abdullah al-Kosova, shihej prej kohësh si njëri prej drejtuesve të ISIS-it, pas ngjitjes së shpejtë në krye të “Brigadës ballkanike” të xhihadistëve.

Shërbimet sekrete italiane raportonin vitin e kaluar se ai ishte rikthyer në Kosovë në muajin nëntor, e kishte kaluar përmes Maqedonisë, duke vënë në lëvizje krerët e shërbimeve sekrete të të dy këtyre vendeve, por edhe Shqipërisë.

Muhaxheri kishte lëshuar disa herë kërcënime ndaj Kosovës e Shqipërisë. Emri i tij u lidh edhe me thirrjet për dhunë gjatë ndeshjes ndërkombëtare Shqipëri-Izrael, që do të luhej në Shkodër. Asokohe, 19 personat e arrestuar nën dyshimin se po planifikonin goditje, ishin koordinuar pikërisht nga Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi, gjithashtu ish-pjesëtar i ISIS-it, i vrarë shkurtin e këtij viti.

Dronët amerikanë raportohet t’i kenë marrë jetën në sulmin e fundit edhe vëllait të tij, Bilall Haqifi. Lavdrim Muhaxheri pushtoi titujt e gazetave botërore korrikun e vitit 2014, kur hodhi në “Facebook” fotot e tij duke i prerë kokën një të mituri. Shtatorin e po atij viti, Departamenti amerikan i Shtetit e shtoi në listën e vet të terroristëve globalë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel