Shqipja letrare, debati: “Gjenocid”, apo zgjidhje?

07/06/2017 00:00

Kur kanë kaluar 45 vjet nga vendosja e standardit të unifikuar të gjuhës shqipe, studiuesit janë ende të ndarë nëse është ajo zgjidhja më e mirë.

“Pas pesë vjetësh ne do të festojmë 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit. Gjysmë shekulli janë një provë e mjaftueshme për të parë nëse një ide ishte e drejtë apo jo”, thotë studiuesi Xhevat Lloshi.

“Diçka që nuk është e saktë, e vërtetë nuk është as e drejtë. Vendosja e një dialekti si standard ishte një zgjidhje jo prej shkencëtarësh”, shprehet kulturologu Primo Shllaku.

Krahas kësaj, domosdoshmëria qëndron në evoluimin e gjuhës shqipe dhe mendimet ndahen në këtë pikë kur flitet për dialektet. Sipas Lloshit, të ndash shqipen në dialekte është e gabuar.

“Gjuha standarde është formë e ngulitur me normë e gjuhës së shkruar për nevoja publike të një vendi, kombi dhe shteti. Në këtë rast nuk mund të flitet për një dialekt, qoftë toskërishtja apo gegërishtja që mund ta kryejë këtë funksion”, thotë Lloshi.

“Ndaj gegërishtes është përdorur një lloj aparteidi dhe me urdhërat dhe vendimet e asaj kohe e kanë vendosur në një zonë jo prestigji”, vlerëson Shllaku.

Sipas këtij të fundit, zgjidhja është një ngritje mbi dialektin. Një hapje më e madhe ndaj formave të shqipes, si pasuri e paçmuar e saj. “Në qoftë se ti do t’i heqësh gegnishten gjuhës shqipe, ti i ke hequr shiprtin asaj pjese të shoqërisë që është natyralisht e tillë”, thekson Shllaku.

Por nga ana tjetër, për Lloshin një debat i tillë sot është i pavend. “Vetë një popull i vogël, në rastin tone për Shqipërinë. Mund t’ia lejojë vetes luksin të bejë një diskutim të tillë”, shton Lloshi.

Top Channel