Ambasadat në Kosovë: Raportime shqetësuese për manipulimin e votës së serbëve

06/06/2017 00:00

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA në Kosovë, dolën me një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës ngrenw shqetësime për manipulimin e votës së serbëve të Kosovës.

Në komunikatë shkruhet se gjatë ditëve të fundit, përfaqësitë diplomatike kanë marrë raporte shqetësuese se ka përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në veçanti, komunikata thotë se ka përpjekje për të frikësuar dhe detyruar anëtarët e komunitetit serb të Kosovës, që të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Përfaqësitë diplomatike në Kosovë i dënojnë këto veprime si të papranueshme dhe i bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe policisë, që të kryejnë hetimet e duhura. Të gjithë qytetarët e Kosovës, vijon komunikata, duhet që të jenë në gjendje të votojnë të lirë dhe pa ndërhyrje apo frikë.

Tensionet mes  Listës Serbe dhe Partisë së Serbëve të Kosovës kanë kulmuar me incidente në komunën veriore, në Leposaviq.

Zyrat e kryetarit të Komunës, që i përket Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilën e drejton Aleksandar Jabllanoviç, janë sulmuar me armë zjarri. Jabllanoviç ka akuzuar njerëz të Listës Serbe, dhe se pas tyre qëndron Beogradi zyrtar.

Në një tjetër incident, ai vetë u ndalua nga policia pas grindjes me simpatizantëve të Listës Serbe.

Top Channel