
Një mijë vjetori i vdekjes së shenjtorit Shën Johan Vladimiri është kremtuar në fshatin që mban emrin e shenjtorit në Elbasan. Në Shijon të Elbasanit ndodhet edhe rrënojat e kishës që mbante eshtrat e shenjtorit, që respektohet nga shumë popuj në Ballkan, por veçanërisht shqiptarët e serbët ortodoksë.
“Me bashkëshortin tim, disa vite përpara, kemi ardhur këtu në Elbasan dhe kemi dëgjuar për këtë manastir ku shfaqen reliket e Shën Johan Vladimirit dhe kemi pasur shumë dëshirë të vijmë t’i shohim. Tashmë kemi 5 vite që vijmë këtu çdo vit. Nuk kam fjalë të përshkruaj atë që ndodh këtu këto dy ditë, por është një marrëdhënie e mistershme sepse ne vijmë këtu edhe për t’u lutur për shëndetin. Ne jemi nga Beogradi dhe Shqipëria na pëlqen shumë. Kemi vizituar Pogradecin, Korçën Elbasanin, Sarandën”, shprehet një qytetare serbe e ardhur në Elbasan.
“Unë jam nga Amerika dhe tani jap mësim këtu në Akademinë e Kishës. Është e mrekullueshme të jesh këtu dhe të shohësh që kanë ardhur kaq shumë njerëz. Është hera e katërt që vij këtu, vij çdo vit. Shqipëria është shumë e bukur dhe ka kaq shumë kisha. Për mua është e mrekullueshme të jem këtu”, shprehet një tjetër i pranishëm.
Shërbesa e shenjtë këtë vit është drejtuar nga Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit e Shpatit.
“Është interesante që ky shenjtor edhe pse duke ardhur nga një tjetër komb është bërë i dashur. Një nga shenjtorët që qytetarët pavarësisht nga besimi i tyre, shpesh herë, i luten me shumë shpresë dhe shumë dashuri”, thotë Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit.
Në ceremoni ndodheshin edhe përfaqësues të besimeve të tjera dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Kryebashkiaku Sejdini premtoi ndihmën e bashkisë për pelegrinazhin e përvitshëm.
“Bashkia do të jetë e gatshme të mbështesë totalisht, me të gjitha detyrimet që ka”, tha Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit.
Top Channel