Prapaskenat e Pavarësisë

04/06/2017 00:00

Në 9 vitet e para si shtet, Kosovës i është dashur që të luftojë edhe për njohjen e saj ndërkombëtare. Deri më tani, 114 shtete e kanë njohur pavarësinë.

Por çfarë thonë diplomatët që punuan për projektin e pavarësisë? A do t’a pranojë Serbia, Kosovën si shtet të pavarur? Exclusive sjell të pathënat e negociatave, anët e panjohura, bisedimet joformale, apo dhe njohjet surprizë.

Më 11 qershor 1999, NATO përfundoi me sukses fushatën 78 ditore të bombardimeve mbi Serbi, duke i dhënë fund njëherë e mirë, kontrollit mbi Kosovën, e duke hapur një kapitull të ri në historinë e Ballkanit.

Pas përfundimit të luftës, Kosovës iu desh të kalonte në një kalvar të gjatë bisedimesh e negociatash, deri në arritjen e marrëveshjes, të pagëzuar me emrin “Pakoja Ahtisari”.

Por për Enver Hoxhaj, sot ministër i Jashtëm, e në atë kohë negociator, gjërat ishin të qarta për të ardhmen.
 
“Diku nga mesi i 2007-ës, kur pakoja e Ahtisarit u bllokua nga Rusia, në Këshillin e Sigurimit, unë e kam kuptuar që Kosova natyrshëm do të jetë e pavarur, por Kosova nuk do të jetë shtet anëtar i OKB-së”, shprehet Enver Hoxhaj.
 
Edhe pse deri më tani janë 114 shtete që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, sërish janë 5 vende Europiane, të cilat për rrethana të ndryshme nuk e kanë marrë këtë vendim.

Por, për ish-Zv.Kancelarin Austriak Erhard Busek, arsyet e parashtruara prej tyre, në shumë raste, janë të papranueshme

“Shumë nga vendimet e marra për të mos njohur Kosovën, janë bërë për arsye të çmendura. Katalanët do të jenë një problem për Spanjën, me ose pa Kosovën. Është e njëjta gjë dhe për Sllovakinë dhe Rumaninë dhe mendoj se asgjë nuk ndryshon. Është gjithmonë kjo idea e disa qeverive që duken fituese për diçka. Është shumë e qartë dhe do t’i kërkoja Kosovës dhe miqve të Kosovës, që të punonin me këto shtete dhe gjërat do të ndryshojnë, ndërkohë që për Greqinë dhe Turqinë, gjërat nuk do të ndryshojnë për shkak të disa qëndrimeve të çmendura për Maqedoninë, ndjesë FYROM”, thotë Erhard Busek
 

Top Channel