Gjykata Speciale dhe ushtria do “tronditin” Kosovën

03/06/2017 00:00

Oferta të shumta për qytetarët e Kosovës dhe premtime për planet e qeverisë së re. Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë sjellë në ofertë rritje pagash, pensionesh, dyfishim të buxhetit, formimin e ushtrisë së Kosovës, heqjen e vizave dhe zgjidhjen e krizës ekonomike.

Analisti Ymer Mushkolaj, thotë se fushata  duket se do të ketë shumë ide dhe ikje nga përgjegjësia. Por, Kosovën e presin shumë obligime ndërkombëtare nga dialogu, demarkacioni e deri te Gjykata Speciale.

“Premtime të mëdha, në të shumtën e rasteve pa mbulesë, por me premtime që nuk kanë të bëjnë vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me çështje të sigurisë që deri tani nuk kanë qenë”, shprehet Ymer Mushkolaj, analist.

Kosova kishte nisur procesin e themelimit të ushtrisë së saj. Dokumentet janë bërë gati, por kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese ose një ligj të ri. E para kërkon pajtimin e serbëve, e dyta anashkalimin e tyre.

Drejtuesi i qendrës kërkimore për politika të sigurisë, Burim Ramadani, thotë se ushtria është kthyer në njërën prej temave, por varet se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve për serbët.

“Secili është i vetëdijshëm se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk bëhet pa partnerët ndërkombëtarë. Idea për ndërtimin e ushtrisë bazohet në zotimin që partitë politike po japin në bashkëpunimin më të ngushtë partnerët ndërkombëtarë”, thotë Burim Ramadani, Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Një nga çështjet që brengos Kosovën është gjykata speciale për krimet e luftës. Aktakuzat ende nuk dihen, por mendohet se disa  nga të akuzuarit mund të jenë nga politika.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, thotë se nuk pritet të ketë aktakuza muajt e ardhshëm.

“Mendoj që me aktakuzat e para të Gjykatës Speciale skena politike në Kosovë do të ketë një tërmet. Por përderisa nuk ka aktakuza nuk do të bëhet ndonjë diferencë”, shprehet Bekim Blakaj, Fondi për të Drejtën Humanitare.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë erdhën si pasojë e krizës politike pikërisht për shkak të pamundësisë për të votuar çështje për të cilat bashkësia ndërkombëtare kërkon llogari.

Top Channel