Engel: BE të frenojë anëtarësimin e Serbisë, s’përballet me krimet

03/06/2017 00:00

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel e dënoi ashpër qëndrimin e autoriteteve serbe që nuk i lejuan hyrjen në Serbi, ish presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Jahjaga duhet të merrte pjesë në një festival me emrin “Mirëdita.Dobardan” i cili si për ironi, synon pikërisht nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Ish kryetarja e shtetit kosovar do të fliste në Beograd mbi një libër me dëshmi të grave të nënshtruara torturave dhe përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë. I indinjuar,  Engel i shkroi shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke theksuar se mungesa e vullnetit të Beogradit për t’u përballur me krimet e së kaluarës, është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të saj në BE.

Për këtë vend ballkanik, shmangia e diskutimit dhe pranimit të përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem tejet serioz thotë Engel. Nëse ai nuk zgjidhet, mund të përballemi me një përsëritje të sjelljeve të së shkuarës. Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e lufëes”, shkroi ligjvënësi amerikan, i cili përcjell njëkohësisht në letrën e tij respektin e thellë për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por veprimi i qeverisë serbe e ka shqetësuar shumë, sepse kjo siç sqaron Engel, nxjerr në pah ngërçin akoma më të madh  të shmangies së diskutimeve dhe të pranimit të fakteve mbi luftën e Kosovës.  Kaq i mjafton Engelit për t’i kërkuar bllokut europian që në këtë pikë,  të shqyrtohet seriozisht pezullimi i procesit të anëtarësimit të Serbisë.

Top Channel