Rama kërkon votën e demokratëve: Unë shpëtova Lulin dhe PD-në

02/06/2017 00:00

Në një takim me gratë dhe vajzat në Virua, kryeministri Edi Rama i ka bërë të qartë elektoratit se 71 mandatet për PS nuk i kërkon për pushtet personal, por për të vijuar reformat.

“Ne nuk duam më shumë pushtet për veten. Unë nuk dua shumë pushtet për veten time, por dua të kem më shumë fuqi që të bëj më shumë për ju, për t’ju qëndruar përkrah të gjithëve dhe për të mos u bërë bisht situatave kur jemi të pafuqishëm, kur dikush ndihet i fyer që nuk merr të drejtën që i takon”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron as një shtet si Bosnja, ku partitë politike ndajnë vendin sipas interesave të tyre.

“Nuk duam një shtet që sot është si Bosnja, me federata partish dhe me flamuj të ndryshëm brenda shtetit. Si mundet ne të vazhdojmë kështu?”, është shprehur Rama.

“Ne kemi bërë shumë reforma, që nuk do të ishin bërë nëse ne nuk do të kishim koalicionin që kishim. Tani kemi nevojën të kryejmë dy reforma: reforma në drejtësi dhe ajo për ndarjen e partisë nga shteti”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, “partitë nuk mund ta ndajnë shtetin në parcela dhe të veprojnë sipas interesave të tyre, nga Tropoja deri në Konispol”. “Kjo nuk duhet të vazhdojë më dhe për të bërë këtë na duhet të kemi timonin, jo të kemi të tjerë në prehër”, ka thënë Rama.

Rama ka kërkuar edhe votën e demokratëve, duke e cilësuar atë si një detyrim për faktin se ishte vetë ai që shpëtoi Partinë Demokratike.

“Luli ishte duke marrë në qafë veten dhe PD-në, por i shpëtova unë. Tani demokratët kanë detyrimin të na votojnë. Po nuk na dhanë timonin vetë nuk vazhdojmë dot ato gjëra që kemi bërë der tani”, ka shtuar Rama.

Top Channel