LSI organizoi një takim elektoral me artistët, ku morën pjesë drejtuesit e kësaj partie.

Kreu i LSI-së, Petrit Vasili tha se për artistët në 25 vite nuk janë ndërmarrë politikat e duhura, por vetëm zgjidhje rastësore.

“Trashëguam një univers artistik që është reduktuar sepse në 25 vjet jemi përballur me spontanitet, zgjidhje rastësore, zgjidhje sipas gustove të momentit që politika ka pasur ose për të komercializuar veten, ose për të kaluar një situatë të vështirë dhe ka dashur të marrë dhe ngrejë lart një moment artistik të çastit, për të kaluar një tension politik. Në planin tonë ka një qasje krejtësisht të re: të orientojmë qartë ku do të ecë arti skenik, ku do të ecin artet pamore, ku do të ecë trashëgimia kulturore”, tha kreu i LSI-së, Petrit Vasili.

Ilir Meta thotë se në detyrën që do të marrë si President i Republikës, do ta ndihmojë këtë komunitet, edhe pse me pak kompetenca ekzekutive: “Presidenti nuk ka shumë kompetenca ekzekutive, por mendoj se është një detyrë e Presidentit që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë kulturës dhe sportit, sepse ka të bëjë me imazhin e vendit, ka të bëjë me kredibilitetin e vendit. Në këtë drejtim, ajo që mund t’ju them është se do të jem shumë pranë këtij komuniteti gjatë pesë viteve të ardhshme”.

Top Channel