Hetimet për aksidentin e Qerretit

02/06/2017 00:00

Aliçe, 3 vjeç dhe vëllai i saj Dritani, 5 vjeç, humbën jetën për faj të rrugës. Me konkluzionin se nëna e tyre, Silva Negollari, gjithashtu e plagosur nuk kishte shkelur asnjë rregull qarkullimi, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për aksidentin e Qerretit.

Prokurorët theksojnë se rruga ku ndodhi përplasja fatale ishte lejuar nga autoritetet shtetërore që të shfytëzohej jashtë kushteve teknike të sigurisë për jetën.

Pas veprimeve hetimore që zgjaten një vit dhe akt ekspertimeve autoteknike, prokurorët shpjegojnë se katër punonjësit të autoritetit rrugor, Ardian Kroi, Astrit Qafa, Ardian Nako dhe Malvina Kallabaku me detyrë kolaudues, duhet të gjykohen për shpërdorim detyre.

Të caktuar si komision kolaudimi me urdhër të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor të katër punonjësit pas  këqyrjes së punimeve përgjatë aksit Plepa-Kavaja-Rrogozhine kanë certifikuar përdorimin e këtij aksi.

Por, ndërkohë në këtë rrugë mbrojtëset anësore metalike nuk ishin të standardizuara, ndërsa nuk ishte e mbyllur edhe hapësira lidhëse me një pikë karburanti.

Megjithëse të pandehurit shpjegojnë se ata e kishin lejuar shkeljen e fundit për shkak të një vendimi gjykate, prokuroria e hedh poshtë këtë pretendim.

Detyra e kolauduesve ishte të vlerësonin kushtet e domosdoshme mbrojtëse dhe nuk duhet ta konsideronin rrugën të përdorshme.

Dy fëmijët po udhëtonin së bashku me nënën e tyre për të takuar babain,  Sokol Nergollari, i cili mbahej në burg për ndërtim pa leje.

Top Channel