Fushata, LSI takon artistët, Peleshi me të rinjtë në Korçë

02/06/2017 00:00

LSI organizoi një takim elektoral me artistët, ku morën pjesë drejtuesit e kësaj partie. Kreu i LSI, Petrit Vasili tha se për artistët në 25 vite nuk janë ndërmarrë politikat e duhura, por vetëm zgjidhje rastësore.

“Trashëguam një univers artistik, që është reduktuar, sepse në 25 vjet jemi përballur me spontanitet, zgjidhje rastësore, zgjidhje sipas gustove të momentit që politika ka pasur, ose për të komercalizuar veten, ose për të kaluar një situatë të vështirë dhe ka dashur të marrë dhe ngrejë lart një moment artistik të çastit për të kaluar një tension politik. Në planin tonë ka një qasje krejtësisht të re: të orientojmë qartë ku do të ecë arti skenik, ku do të ecin artet pamore, ku do të eci trashëgimia kulturore”, tha kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Ilir Meta thotë se në detyrën që do të marrë si President i Republikës, do ta ndihmojë këtë komunitet, edhe pse më pak kompetenca ekzekutive.

“Presidenti nuk ka shumë kompetenca ekzekutive, por mendoj se është një detyrë e Presidentit që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë kulturës dhe sportit, sepse ka të bëjë me imazhin e vendit, ka të bëjë me kredibilitetin e vendit. Në këtë drejtim ajo që mund t’ju them është se do të jem shumë pranë këtij komuniteti gjatë pesë viteve të ardhshme”, deklaroi ai.

Gjatë një takimi të organizuar me studentët dhe të rinjtë e Qarkut të Korçës, Niko Peleshi i ftoi ata të votojnë PS për t’u bërë pjesë e projektit për të ardhmen e qytetit ku jetojnë dhe vendlindjes së tyre.

“PS na jep shansin sot që të bëhemi pjesë e një plani për të ardhmen. Asnjë nuk është i kënaqur me status quo-në, por i kënaqur është ai që mendon për të ardhmen dhe ai që bëhet pjesë e një projekti dinamik”, tha Peleshi.
 
Ndërkohë, nga Librazhi Taulant Balla tha se axhenda e PS dhe PD kanë dallime thelbësore sa i takon interesit të qytetarëve.

“Ne kemi axhenda komplet të ndryshme. Ne kemi synim të gjejmë punë për qytetarin, ata kanë axhendë të gjejnë një punë për vete. Unë ju siguroj se Librazhdi është përfaqësuar aq mirë, si asnjëherë më parë dhe ju siguroj se ekipi i PS për Qarkun e Elbasanit do të bëjë më të mirën për ju”, deklaroi Balla.

Top Channel