Basha: Votat për LSI-në ikin në gjol

02/06/2017 00:00

Lulzim Basha nuk ka hequr dorë nga kërkesa për t’u përballur në debat me Edi Ramen, edhe pse Kryeministri tha se nuk shihte arsye për ta bërë.

“A duhet të vijë Edi Rama të bëjë bilancin në debat apo jo? A duhet të shpjegojë programin në debat apo jo? Bilanc nuk ka, program nuk ka! Kjo është frika e Edi Ramës! Dil në debat me kryetarin e opozitës! Mos ki frikë! Shqiptarët e meritojnë, demokracia e meriton debatin”, deklaroi nga Pogradeci kreu i PD-së.

Por Basha ka një gjuhë edhe më të ashpër kundër LSI-së, tek e cila janë afruar një pjesë demokratësh, siç thotë Basha, në këmbim të një vendi pune, por që në 25 qershor i duhet dhënë fund klientelizmit politik.

“Votat për LSI janë vota në gjol! Mos e hidhni votën në gjol! Kthehuni në shtëpinë tuaj! Nuk do të ketë më pazar”, tha kryedemokrati.

Edhe në Pogradec, Lulzim Basha u fokusa tek programi ekonomik i Partisë Demokratike, që ka në fokus hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e kostos për biznesin.

“Çmimi i naftës dhe energjisë do të jetë më i ulëti në rajon. Asnjë vend nuk do të mund të konkurojë dot siç do të konkurojë Shqipëria nën drejtimin tim, që do të jetë një stimul i fuqishëm për investitorët”, premtoi Basha. 

Një premtim tjetër kryesor është ndalimi i prodhimeve bujqësore nga jashtë që konkurrojnë padrejtësisht prodhimin shqiptar.

“Pjesën e fermerëve të mi nuk do ta konkurojë dot padrejtësisht askush në Europë dhe në botë. Aq sa e mbështet fermerin tënd në shtetin tënd, aq do ta kesh tarifën derisa të shiten prodhimet e fermerëve të mi”, deklaroi ai.

Lulzim Basha tha se taksa e sheshtë 9 përqinnd, edhe e TVSH-së, që paguhet në çdo mall nga çdo qytetar, do t’i kursejë një familjeje mesatarsisht çdo muaj 400 euro.

Top Channel