Tahiri-Vasilit: Tahma makina me një timon? Unë e quaj përgjegjësi

01/06/2017 00:00

Saimir Tahiri iu përgjigj në distancë kreut të LSI, Petrit Vasili, se gjatë katër viteve qeverisje ka pasur shkopinj ndër rrota.

“Dëgjova Petrit Vasilin që thoshte se është tahma e madhe të imagjinosh një makinë me një timon. Unë nuk e di pse i shkon mendja te tahmaja në fakt. Unë e quaj përgjegjësi, atij i shkon mendja te tahmaja, është puna e vet. Por të kesh mundësinë të qeverisësh këtë vend për shqiptarët, pa i zënë sytë me sherre, me shamata, nuk është tahma, është përgjegjësi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë, e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës përballë çdo shqiptari që me të drejtë kërkon më shumë punë prej nesh”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa Erion Veliaj, duke përmendur punët e bëra nga bashkia iu kërkoi qytetarëve të mos i çojnë votat për PD në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Para se t’ju vijnë deputetët e radhës të PD-së, që s’kanë bërë asnjë punë dhe duhet të vijnë të tjerë se nuk kanë mbajtur llafin ata të tjerët; para se të vijnë shiheni pak ekipin e tyre. Ekipi ynë është: Edi Rama që bëri Tiranën dhe sot po bën Shqipërinë. Ekipi i tyre është Lulzim Basha dhe Sali Berisha që shkatërruan Tiranën dhe Shqipërinë”, tha Veliaj.

Top Channel