Rama: PD do kthejë “Kristalin”. Siç bëmë me vettingun, edhe me ekonominë

01/06/2017 00:00

Nga Puka, Edi Rama i solli në kujtesë banorëve kërkesën e dy viteve më parë në zgjedhjet lokale, duke premtuar se ka ende shumë për të bërë për këtë qytet.

“Më jepini votën për Franin, që t’ju nxjerrim nga tuneli ku ju kishte futur politika. Dhe sot s’ka sy që mos ta shohë ndryshimin. Por ju siguroi që s’keni parë gjë akoma”, tha Rama.

Për Ramën, është provuar tashmë se Lulzim Basha nuk di të punojë. “Luli është në gjumë. Zgjohet vetëm kur është përpara televizorit, pastaj duhet ta tundësh që të zgjohet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal tek reformat e kryera në arsim, duke krahasuar me ato që ka premtuar Partia Demokratike.

“Si mund të votoni PD kur kanë thënë që do ta prishim këtë sistem? Votoni PD dhe do keni prapë Kristal, Vitrina, ku studentët rrinë në kafe dhe i marrin diplomat pa vajtur në shkollë”, tha Rama.

Por Rama, duke sjellë shembullin dhe vendosmërinë e treguar për vettingun, nënvizoi se e njëjta gjë do të bëhet dhe për ekonominë. “Me të njëjtën vendosmëri do të punojmë për rritjen ekonomike”, premtoi kryeministri.

Më herët, ai inspektoi punimet në sheshin e Rrëshenit, i cili përfitoi nga projekti i Rilindjes Urbane. Po ashtu, ai u ndal dhe në Laç, ku pa nga afër transforimin e gjimnazit “At Shtjefen Gjeçovi”.

Top Channel