Saimir Tahiri iu përgjigj në distancë kreut të LSI, Petrit Vasili se gjatë katër viteve qeverisje ka pasur shkopinj ndër rrota.

“Dëgjova Petrit Vasilin që thoshte se është tahma e madhe të imagjinosh një makinë me një timon. Unë nuk e di pse i shkon mendja te tahmaja në fakt. Unë e quaj përgjegjësi, atij i shkon mendja te tahmaja, është puna e vet. Por të kesh mundësinë të qeverisësh këtë vend për shqiptarët, pa i zënë sytë me sherre, me shamata, nuk është tahma, është përgjegjësi dhe kjo është përgjegjësia jonë, e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës përballë çdo shqiptari që me të drejtë kërkon më shumë punë prej nesh”, deklaroi Tahiri.

Ndërkohë, LSI-në e sulmoi sërish Lulzim Basha.

“Tani po zihet me LSI-në për tepsinë. Po zihen vetëm për tepsinë. Nuk kanë fare hesapet tuaja, vetëm tepsinë kanë në mendje. Dua t’i bëj thirrje çdo votuese të Partisë Demokratike, që në këto vite është zhgënjyer nga partitë e pazarit të vjetër, politik t’i braktisë ato! Kthehuni në shtëpinë tuaj! Shikoni si janë kthyer aleatët tanë! Shikoni se jemi bashkë të gjithë. Kthehuni edhe ju, hidhuani në fytyrë teserat e partive që ua kanë dhënë si triska buke! Bëhuni pjesë e bashkimit! Behuni pjesë e fitores, e republikës së re!”, tha Basha.

Ministri i LSI-së, Sokol Dervishaj del kundër qeverisë së tij dhe fajëson socialistët që kanë kanë masakruar buxhetin për bojë pallatesh dhe palma që u thanë.

“Deri dje e kishte fajin Saliu. Pas çadrës e paska fajin LSI. Po ju a ndjeni ndonjë peshë faji, që në këto katër vite e masakruat buxhetin e infrastrukturës rrugore dhe bujqësisë, për të bojatisur pallate e mbjellë pemë që thahen pa u dalë gjethja? E megjithatë po punojmë”, shkruan Dervishaj.

Ai rendit sukseset, sipas tij, të kësaj ministrie sa kohë është drejtuar nga LSI, duke përmendur rrugën Tiranë-Elbasan, Unazën e Madhe në Tiranë.

Akuzat e ministrit të qeverisë “Rama” vazhdojnë më tej duke iu drejtuar me fjalët se “duhet të heqin dorë nga thasët me miell, se shqiptarët nuk hanë një herë në katër vjet, por kanë nevojë për mirëqenie të përditshme”.

“Kujtoni si u mbushën birucat me fukarenj e si e ngjitët rininë maleve për hashash. Prandaj dhe shqiptarët do votojnë ata që flasin pak, e punojnë shumë”, shkruan ministri nga radhët e LSI-së.

Top Channel