Mashtroi biznesmenin, Petrit Çakrri në gjykatë

01/06/2017 00:00

Petrit Çakrri, i njohur për një nga dëshmitë kryesore në vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, duket se nuk i ndahet dot problemeve me drejtësinë.

Pas disa preçedentëve të mëparshëm, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me armë me policinë, së fundmi Çakrri mbahet i arrestuar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Më konkretisht, ai akuzohet se i ka marrë një biznesmeni nga Vora një shumë prej 4.4 milionë lekësh të reja. Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit, Çakrri i kishte vajtur në dyqanin e tij në Vore dhe i ishte prezantuar si tregtar.

Në bisedë e sipër Çakrri i kishte premtuar biznesmenit se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira se tregu dhe për këtë i duheshin 4.4 milionë lekë të reja.

Për t’i dhënë këtë shumë, biznesmeni udhëtoi nga Vora në Tirane dhe pasi dorëzoi shumën e kërkuar nuk pati më asnjë kontakt me Petrit Çakrrin.

Pas denoncimit në polici, Çakrri u ndalua, ndërsa në seancën e parë në Gjykatën e Tiranës ai dhe avokati mbrojtës kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pranuar dosjen e prokurorisë.

Nisur nga shuma e përfituar nëpërmjet mashtrimit, kjo vepër klasifikohet me pasoja të rënda dhe parashikon dënime mbi 7 vite burg.

Top Channel