Veliaj: Kur demokratët penguan këndin e lojrave

31/05/2017 10:45

Gjatë bilancit të punëve të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj solli në mendje pengesat për ndërtimin e këndit të lodrave tek Liqeni.

“Teksa mbushet një vit nga 1 qershori, nuk mund të rri pa kujtuar skenat e shkatërrimit të këndit të lodrave. Mbaj mend Gert Bogdanin me Strazimirin që bënin si gangsterra me lodrat e fëmijëve”, tha Veliaj.

Por, jo më kot kryebashkiaku u ndal tek ky fakt: “Kandidatët që Partia Demokratike ka sjellë në lagjen tuaj janë Gert Bogdani me Strazimirin.
Çfarë kujtojnë, që ne jemi budallenj dhe nuk mbajmë mend si shkatërruan pronën publike dhe prishën lodrat e kalamajve. Nuk ka njeri normal në PD që i thotë bravo për këtë”.

Nuk munguan komentet as për Lulzim Bashën: “Si mund të punojë njeri 4 vjet e mos t’i fusë një bojë murit që sheh nga dritarja. Kur një njeri nuk ushtron dot autoritet 3 metra nga zyra e vet, çfarë rruge, shkolle, pusete mund të rregullojë? Pastaj shoh Sahatin. 4 vjet sahati 12. U gjet personi ta rregullojë dhe ka 2 vjet që nuk i ngel ora Tiranës”.

Në skuadrën e tij, tha Veliaj, duke qenë se vetë është i humbur, kreu i PD-së ka sjellë Dr. Halimin, “që ne e mundëm në zgjedhjet e fundit. Ka sjellë Gridën që e mundi Vangjush Dako në Durrës dhe në të njëjtën kohë që ne përpiqemi ta bëjmë Gërdecin si Tirana, ai na propozon Fatmir Mediun për ta bërë Tiranën si Gërdeci”.

“Nuk ka person që e mohon faktin se njeriu më luftarak është Jozefina. Nuk ka femër që të ketë qenë më luftarake për atë parti. Kur i thotë dhe ajo që për 4 vjet nuk bëre gjë, a ka njeri tjetër në PD që beson të kundërtën?”, tha Veliaj.

Zgjidhja më e mirë për këtë, për Veliajn, është Partia Socialiste, me Edi Ramën kryeministër.

Top Channel