Rama në Laç: Me PD, vendi kthehet vite mbrapa

31/05/2017 00:00

Në takimin me të rinjtë të Laçit, Edi Rama kërkoi votë që Partia Socialiste të qeverisë vetëm.

“Unë e njoh, nuk është djalë i keq. Ama ma besoni që duhet punë e madhe mos ta zërë gjumi. Zgjohet vetëm kur i del kamera përpara, sa fiken kamerat ai fle”, tha Rama për Bashën.

Kryeministri tha se vota nuk është tifozeri, por duhet vlerësuar puna. Sipas tij kreu demokrat e ka dëshmuar me fakte që nuk punon dhe gjatë kohës që ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Na duhet një votë PS ta marrë timonin vetëm. Sepse këtu, të gjithë çunat e Laçit janë shofera përpara se të marrin patentën. Edhe e dinë se çfarë do të thotë të marrësh në timon 2 apo 3 veta dhe ata të të luajnë timonin rrugës. Kështu është qeveria nëse ne nuk e marrim timonin vetëm. Pastaj se me kë bashkëudhëtojmë i takon të nesërmes”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se me Partinë Socialiste do të mbyllet Reforma në Drejtësi.

“Tani na duhet edhe një e fortë fare, që të pastrojmë rrugën për të bërë shtet, që administrata të jetë administratë që shteti të jetë shtet, që zyrat të jenë zyra dhe që të mos jenë një tepsi partish. Nëse e doni këtë, e keni në dorë me votë”, u shpreh Rama.

Për Ramën, nqs PD i fiton zgjedhjet, vendi rrezikon të kthehet vite mbrapa, ndërkohë që premtoi se siç bëri reformën në drejtësi do të luftojë edhe për rritjen e punësimit dhe të ekonomisë.

“Siç ne luftuam dhe fituam për Reformën në Drejtësi dhe për Vetting-un na jepnin mundësinë që  të luftojmë për të arritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë dhe për ta bërë administratë shërbëtore të njerëzve, siç ka qenë në Bashkinë e Tiranës kur e drejtoja unë. Vinin njerëzit dhe merrnin përgjigje në kohë reale”, theksoi Rama.

Top Channel