Gjiknuri takon sipërmarrësit e ndërtimit në Vlorë

31/05/2017 00:00

Nxitja e pjesëmarrjes së kompanive nga Vlora në punët publike dhe ecuria e punës për Planin Urbanistik ishin dy prej temave të diskutuara gjatë takimit të drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri, me komunitetin e ndërtuesve.

Në këtë bashkëbisedim, ai shoqërohej edhe nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Ministri Gjiknuri u ndal tek investimet që po bëhen në qytet dhe perspektivën zhvilluese për vitet e ardhshme.

“Investimet publike që po bëhen në Vlorë, në ujësjellës dhe kanalizime, shëtitorja e madhe apo edhe vazhdimi i Lungomares deri tek Pylli i Sodës apo qendra historike e Vlorës, janë një zinxhir zhvillimi që krijon premisat që Vlora përsa i përket investimeve të pasurive të patundshme të ketë një ngritje”, vlerësoi Gjiknuri.

Referuar çështjes së përfshirjes së kompanive vendase në punët publike, ai premtoi se do të angazhohet maksimalisht për të përmirësuar situatën.

“Unë do të bëj çmos, brenda kufijve ligjorë, që të inkurajohen kompanitë e Vlorës që të jenë pjesë e projekteve publike, qoftë projekte në energjitikë apo në punë civile. “Edhe aty ku nuk fitojnë kompanitë nga Vlora e rëndësishme është që kontraktorë privatë të keqe”, tha Gjiknuri.

Ndërkaq, kryebashkiaku Leli ftoi sipërmarrësit të bëhen bashkë e të konkurojnë për të fituar punët publike.

“Unë them që ju takon edhe ju si biznese që të gjeni gjuhën e bashkëpunimit për tu bërë bashkë e për të qenë konkurues pasi historiku është vlerë në punët publike. Nga unë besoj e keni ndjerë mbështetjen dhe nuk ka për tu munguar. Përsa i përket Planit Urbanistik që me të drejtë Beni e përmendi pak më parë, ju keni qenë prezent në të gjitha takimet publike që kemi bërë. Është marrë në konsideratë çdo kërkesë juaja, është dërguar çdo ankesë e qytetarëve tek firma që ka marrë realizimin e projektit dhe shpresoj që gjashtë mujori tjetër të na gjejë të gjithëve gati dhe shpresoj që ju të jeni gati për të filluar investimet”, sqaroi Leli.

Top Channel