Biznesi kërkon lehtësira: Doganat të punojnë 24 orë

31/05/2017 00:00

Bizneset shfrytëzuan takimin me përfaqësuesit e drejtorisë së doganave për tu ankuar mbi mënyrën se si trajtohen kur kalojnë traun në pikën kufitare. Bardhyl Baltëza, i cili përfaqëson Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë, thotë se eksportuesve nuk u shërbehet 24 orë në ditë.

“Prodhuesit tanë eksportojnë në të gjithë Europën dhe Ballkanin, dhe nuk ekziston një vend ku shkon në orën 10 dhe të thonë do kaloni nesër, mbaron punë në çdo orë që të shkosh”, u shpreh Bardhyl Baltëza, përfaqësuesi i “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.
“Këtë shqetësim e dëgjoj për herë të parë, ne operojmë në varësi të orareve të doganave homologe por problemin drejtojeni në mënyrë zyrtare në drejtorinë e doganave”, tha Mirela Meko, Nëndrejtore e Doganave.

Në ndryshim nga kjo, tarifa e skanimit në doganë është një shqetësim i vjetër. Por përfaqësuesit e biznesit e ringritën në një formë tjetër.

“Nuk bëhet kontrolli me kontejner, por me deklarata doganore, kjo i rrit kostot sidomos për fasonët”, u shpreh Bardhyl Baltëza, përfaqësuesi i “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.

“Është marrëveshje koncensionare e miratuar me ligj nga parlamenti ne jemi thjesht zbatues”, shtoi Mirela Meko, Nëndrejtore e Doganave.

Procedurat e reja të kodit doganor hyjnë në fuqi më 1 qershor dhe harmonizojnë kodin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Për bizneset e rregullta, kodi parashikon një sërë lehtësirash proceduriale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA