Basha në Vlorë: Programi ynë, ekonomia. Rama të vijë në debat

31/05/2017 00:00

Nga Vlora, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do ta lejojë Edi Ramën të largohet pa dhënë llogari për premtimet e pambajtura.

Duke shprehur bindjen se ekipi i PD do të jetë ekipi fitues në zgjedhjet e 25 qershorit, Basha ka përsëritur ftesën për debat drejtuar rivalit të tij politik.

“Ti trego programin tënd, unë programin tim dhe le të na gjykojë Vlora dhe gjithë Shqipëria. Le ta bëjmë këtu në sheshin e Flamurit debatin e parë elektoral. Shqiptarët e meritojnë, por ai asnjë përgjigje nuk kthen. Po kthe një përgjigje! Eja në debat, sepse debati është kulturë”, ka deklaruar Basha.

Për Bashën, frika e Edi Ramës vjen për faktin se ka mashtruar elektoratin me pretendimet e tij se nuk ka patur kohë dhe financime.

“Unë e di pse ke frikë, sepse ato që the, se nuk kishe kohë e para, nuk janë të vërteta. 4 vjet dhe nuk rrite dot rrogat e as pensionet. Akoma s’ke hapur negociatat, ndërkohë që unë për 1 vit e gjysmë u hoqa vizat shqiptarëve”, ka thënë Basha.

Sipas tij, problemi real është se Edi Rama ka një tjetër mendim për Vlorën dhe Shqipërinë. “Vlora për të nuk janë vlonjatët, por lungomarja. Për të, populli shqiptar është vetëm një spektator”, është shprehur Basha.

Ekonomia ka qenë pika tjetër ku Basha është fokusuar më tej gjatë fjalimit të tij. Ai ka premtuar më shumë lehtësi për sipërmarrjen, si dhe mbështetje për fermerët.

“Do të jem kryeministri i ekonomisë. Do t’ia heqim lakun nga fyti sipërmarrjes dhe miliona do të qarkullojnë në ekonomi, duke sjellë rritje rroge, vende pune, etj. Do ndihmojmë fermerët, do t’i mbështesim me subvencione të vërteta. Do të mbështesim edhe studentët. Ky do të jetë programi ynë ekonomik”, ka shtuar Basha.

Top Channel