Akuza e ish-kryeministrit Berisha: Armë kimike në miting

31/05/2017 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se qëndrimi i qeverisë në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë është i dyshimtë për disa arsye.

Së pari, sepse qeveria ende nuk i ka vënë një emër ngjarjes, të cilën Berisha e cilëson “sulm kimik ndaj opozitës”. Edhe pse ish-kryeministri thotë se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ngjarja në bulevard, në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike, ndodhi një javë pas simulimit me lëndë kimike të bërë nga forcat e ushtrisë dhe policisë. Një stërvitje e tillë, sipas Berishës, nuk ndodhte që nga koha e diktaturës, por për herë të parë në vendin tonë ndodhi edhe një sulm në një miting publik.

Ndërkohë, Berisha akuzon policinë që kishte, sipas tij, një shpjegim të gatshëm për shkakun e dëmtimit të thuajse 170 personave, konkretisht, tollumbacet dekorative, plasja e të cilave solli edhe problemin. Por, më e rëndë se kjo, sipas Sali Berishës, është fakti që policia po përpiqet të mbyllë një çështje që përmbush kriteret e një sulmi terrorist, duke aluduar për dritën e prozhektorëve që u përdorën në miting, gjë që, sipas tij, bie poshtë, pasi prozhektorë ka patur edhe në mitingje të tjerë dhe asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur.

Për ish-kryeministrin, gjetja e një përgjegjësi nuk është e pamundur, por, sipas tij, duhet të analizohen substancat që shkaktuan dëmtimin e qytetarëve dhe substancat e përdorura në simulimin e sulmit kimik të bërë nga ushtria dhe policia e gjithashtu qëndrimi i qeverisë dhe vonesat që, sipas Berishës, po i bëhen procesit të hetimit.

Top Channel