Rama, fushatë në Dibër. Premtime për bujqësinë dhe rrugën e Arbrit

30/05/2017 00:00

Fushatën këtë të martë Edi Rama e nisi me një kafe me banorë të Peshkopisë, të cilët shprehën shqetësimet dhe problemet e tyre.

Më pas kryeministri zhvilloi një takim të gjatë pune me fermerët e zonës së Sohodollit në Dibër, të cilëve iu premtoi zgjidhje përgjatë mandatit të dytë qeverisës të çështjes së vaditjes, rritjes së ekonomisë dhe punësimit, zgjidhjes përmes vettingut të problemeve me pronësinë tokësore dhe Rrugën e Arbërit, për të cilën tha se në javët e para të qershorit do të nisë puna.

“Çështjen e vaditjes e kemi prioritet. Do kishim dashur ta kishim kompletuar, por situata që gjetëm ishte shumë e rëndë. Nga 300 mijë hektarë minimum, ne kishim veç 120 mijë në 2013. Tmerr. Mos harroni që mjeti i fundit, skavatori i fundit që ka hyrë në Shqipëri për bujqssdinë ka hyrë i përdorur në 2005-n. Pjesa më e madhe e flotës së buqjësisë ishte në tako. Mjetet ishin të kohës së dashurisë së Kinës. Ne kemi marrë 61 eskvatatorë me super fuqi dhe ia dhamë bashkive, që e kanë syrin te zona e fshatit, se ngela me komunat që nuk kishin asnjë fuqi, as të ardhura”, tha Rama.

Rama kërkoi nga fermerët, të majtë apo të djathtë, votën më 25 qershor. “U bë shteti punë partizanësh. Erdhën e morën. Erdhën të tjerët e morën. Administrata nuk lëviz sa herë lëviz qeveria. Ajo është pjesë e makinerisë, njeriu voton shoferin dhe ekipin që mban makinerinë, jo hajde ta çmontojmë nga e para. Na duhet vota për PS. I them edhe të majtëve edhe të djathtëve. Shihni interesin tuaj, vota është për të marrë në punë njerëzit”, u shpreh Rama.

Rama shpjegoi edhe mënyrën se si do të funksionojnë komisionet e vettingut që kanë nisur punën në Kuvend.

“Qeveria në Parlament dhe opozita do zgjedhin nga lista e ekspertëve që është verifikuar nga ndërkombëtarët, me kritere të forta. Kanë aplikuar disa vetë, i kanë filtruar ndërkombëtarët, ja ku e keni listën, ne do zgjedhim 6 dhe 3, edhe opozita dhe politika mbaron punë këtu. Ata që do zgjidhen do jenë gjykatësit e gjykatësve”, nënvizoi Rama.

Drekën kryeministri e kaloi në Dovolan, në familjen e Riza Agollit.

Top Channel