Përplasja me ministrat teknikë, Vukaj shkarkon tatimorin

30/05/2017 00:00

Urdhrat e ministrave teknikë të Partisë Demokratike për shkarkimin e punonjësve të administratës kanë hapur një betejë të ashpër nëpër ministri dhe institucionet e tjera qendrore. Rasti më i fundit është një urdhër i ministres së Financave.

Të hënën, Helga Vukaj njoftoi shkarkimin e një punonjësi të administratës tatimore. Sipas njoftimit, Kliton Bistri u shkarkua për pjesëmarrje në një miting të Partisë Socialiste, pasi u denoncua në Facebook nga ish-kryeministri Sali Berisha.
 
Por, Top Channel ka mësuar se Kliton Bistri është në detyrë. Burime nga Tatimet thanë se urdhri i shkarkimit është i paligjshëm. Sipas tyre, punonjësit e administratës tatimore mund të shkarkohen vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, ndërkohë që ministrja vetëm mund të vërë provat në dispozion të drejtoreshës.
 
Por, edhe në këtë pikë ka konflikte. Statusi i nëpunësit civil përcakton se punonjësit e administratës kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike, jashtë orarit zyrtar dhe rrjedhimisht nuk mund të shkarkohen. 

Por, ky nuk është urdhri i vetëm që kundërshtohet. Po me qëllim për të parandaluar pjesëmarrjen e administratës në fushatë, këtë të martë ministrja e Financave ka ndaluar lejet vjetore për punonjësit deri në datën 30 qershor. Urdhri, përveçse përmban një lapsus, pasi në titull shkruan Ministria e Drejtësisë, kur në fakt është një akt i Ministrisë së Financave, ngre edhe dyshime të forta ligjore. Kjo pasi lejet vjetore janë një e drejtë e njohur me ligj dhe nuk mund të kufizohen nga një urdhër administrativ.

Këto çështje duket se do të jenë një burim përplasjesh gjatë gjithë fushatës elektorale, mes ministrave teknikë të Partisë Demokratike dhe stafeve të ish-ministrave socialistë, të cilët u larguan nga marrëveshja Rama-Basha.

Top Channel