Me sa duket debati mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, dhe të ngarkuarit me punë të vendit tonë në Vatikan, Visar Zhitit, ka përfunduar në dyert e Gjykatës.

Paraditen e së martës dhoma civile e Gjykatës së Tiranës ka hedhur në short padinë që Presidenti Nishani ka bërë ndaj Visar Zhitit, me objekt shkaktim dëmi dhe që do të gjykohet nga gjyqtarja, Mimoza Kajo.

Disa kohë më parë Presidenti i Republikës dhe Visar Zhitit u përfshinë në disa debate publike, ku nuk munguan akuzat reciproke për përfshirje në ish-sigurimin e shtetit.

Këto debate filluan pasi Presidenti i Republikës nuk pranoi të dekretojë Visar Zhitin si ambasadorin e vendit tonë në Vatikan. Dhe në mungesë të dekretit të Presidentit, qeveria e emëroi Zhitin si të dërguarin me punë pranë ambasadës shqiptare në Vatikan.

Ende nuk dihet se çfarë vlere dëmi kërkon Presidenti Nishani ndaj Zhitit, ndërsa pritet që gjyqtarja Mimoza Kajo të caktojë dhe datën për seancën e parë të këtij procesi gjyqësor.

Top Channel